Dëshmia që trazoi gjyqin e Laert Haxhiut, Noizy zbardh konfliktin me Kleviol Ahmetin

Data

Reperi i njohur Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj grupit të Laert Haxhiut, duke zbuluar detaje mbi ngjarjen e vendosjes së tritolit pranë biznesit të tij në Durrës dhe konfliktet që, sipas tij, i paraprinë sulmit.

Në dëshminë para gjykatës, Noizy tregoi se në momentin e shpërthimit ndodhej në të njëjtin pallat ku ishte vendosur lënda plasëse. Ai tha se u zgjua nga shpërthimi dhe kur zbriti poshtë pa dëmet e mëdha të shkaktuara në hyrje, lokal dhe ambientet e biznesit të tij. Sipas tij, shpërthimi kishte shkatërruar xhamat, mermerin dhe kishte krijuar një gropë të madhe në tokë.

Artisti deklaroi se kishte dyshime mbi autorët që në momentet e para, duke e lidhur ngjarjen me një konflikt të ndodhur një natë më herët në një tjetër lokal në Durrës. Sipas tij, në qendër të përplasjes ishte Kleviol Ahmeti, të cilin e përshkroi si një person të fiksuar pas tij prej vitesh dhe që vazhdimisht e kishte sharë dhe kërcënuar në rrjetet sociale.

Noizy tha se Ahmeti kishte shkuar në lokalin e tij i shoqëruar nga disa persona, duke shkaktuar tension dhe përplasje fizike. Sipas dëshmisë së reperit, vetëm një ditë pas këtij incidenti ndodhi shpërthimi me tritol, ndërsa më vonë iu dogj edhe një automjet.

Gjatë dëshmisë, ai pretendoi se Ahmeti kishte organizuar edhe akte të tjera kundër tij, duke përmendur se persona të paguar nga jashtë vendit dyshohet se u përdorën për të dëmtuar pronën e tij. Megjithatë, Noizy theksoi se nuk kishte njohje me Laert Haxhiun dhe se emrin e tij e kishte dëgjuar vetëm pasi çështja u bë publike.

Procesi gjyqësor ndaj grupit të Laert Haxhiut vijon, ndërsa dëshmitë e fundit pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave që lidhen me ngjarjet kriminale objekt hetimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related