Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar.
Përmes një reagimi publik, Bardhi dënoi ashpër aktin kriminal, duke shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë dhe kolegët e efektivit të vrarë, ndërsa i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur.
“Jam i tronditur nga vrasja e një punonjësi të Policisë së Shtetit në krye të detyrës dhe plagosja e kolegut të tij. Dënoj me forcë këtë akt kriminal dhe besoj plotësisht se autori do të marrë dënimin maksimal dhe të merituar”, deklaroi Bardhi.
Ai theksoi se sakrifica e efektivit të rënë në krye të detyrës meriton respekt dhe mirënjohje, ndërsa kërkoi që drejtësia të veprojë me vendosmëri ndaj autorit të ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së enjtes në zonën e Lozhanit, ku gjatë një operacioni policor për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Autori u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe u arrestua nga policia.
