Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u paraqit paraditen e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku ishte planifikuar zhvillimi i seancës gjyqësore në çështjen ku ai është paditës dhe deputeti Agron Shehaj i paditur.
Seanca nuk u zhvillua dhe gjykata vendosi shtyrjen e saj, duke caktuar datën 21 janar për seancën e radhës. Arsyeja e shtyrjes lidhet me nevojën për administrimin e mëtejshëm të dokumentacionit dhe vijimin korrekt të procedurës gjyqësore.
Lapaj e ka paditur Shehajn për shpifje, pas deklaratave publike të këtij të fundit, ku pretendonte se Lapaj kishte lidhje me persona të botës së krimit. Konkretisht, Shehaj e akuzoi se kishte përfituar 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK, e dyshuar për pastrim parash për grupin kriminal të njohur si “Çopjat”.
Nga ana e tij, Adriatik Lapaj i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke sqaruar se nuk ka përfituar asnjë shumë parash dhe se bëhet fjalë vetëm për detyrime financiare që lidhen me shërbime ligjore të ofruara nga ai si avokat për kompaninë në fjalë.
Ndërkohë, Agron Shehaj ka vijuar me pretendimet e tij, duke paraqitur edhe dokumente, sipas të cilave Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone me vlerë miliona euro në bregdet, e blerë nga kompania e lidhur me grupin kriminal. Sipas Shehajt, vendimi për këtë pronë është dhënë nga vjehrri i Lapajt, Alltun Çela, në kohën kur ai ushtronte detyrën e kryetarit të Gjykatës së Sarandës.
Çështja pritet të vijojë më 21 janar, ku palët do të përballen sërish në GJKKO.
