Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër në Kuvend lidhur me protestat që po zhvillohen prej disa ditësh kundër projektit në Zvërnec, duke akuzuar mazhorancën se po shmang përballjen me qytetarët dhe po sulmon protestuesit në vend që të japë llogari.
Në fjalën e tij, Shehaj tha se qeveria po përpiqet të delegjitimojë protestën duke etiketuar pjesëmarrësit si “nazistë”, “serbë” apo “grekë”, ndërsa kërkoi që kryeministri Edi Rama të paraqitet në Kuvend për t’u përgjigjur për akuzat dhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët.
“Seancën e kaluar mu mohua e drejta e fjalës sepse do të flisja për të rinjtë që kanë dalë të protestojnë kundër jush dhe kundër këtij Kuvendi. Jo vetëm që nuk i dëgjoni, por i sulmoni. Nazistë, serbë e grekë i quani. Dje çuat edhe policinë për t’i ndaluar. Turp!”, deklaroi Shehaj.
Ai theksoi se qytetarët kërkojnë llogaridhënie për mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe për vendimet që prekin interesin publik, duke akuzuar qeverinë për pasurim në kurriz të shqiptarëve.
“Kryeministri duhet të vijë këtu dhe të japë përgjigje. Nuk mund të fshihet pas mbledhjeve të partisë dhe të sulmojë protestuesit. Është skandaloze ajo që po ndodh. Duhet llogaridhënie për vjedhjet dhe abuzimet. Mjaft u pasuruat, mjaft është mjaft!”, u shpreh kreu i Partisë Mundësia.
Deklaratat e Shehajt vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit turistik në Zvërnec kanë hyrë në ditën e tyre të katërt, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.
