Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur konkluzionet përfundimtare për 11 të pandehurit e çështjes së ndarë nga dosja ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, prokurori Ols Dado bëri publike pretencat, ndërsa mbrojtjes i vuri në dispozicion konkluzionet e plota prej 537 faqesh në format elektronik.
Për ish-deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, SPAK kërkoi dënimin me 600 mijë lekë gjobë për akuzën e intimidimit të dëshmitarëve dhe hetuesve, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar masa përfundimtare u reduktua në 400 mijë lekë.
Ndërkohë, për biznesmenin Fatmir Bektashi u kërkua dënimi me 8 muaj burg për korrupsion aktiv, me pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe zëvendësim me punë në interes publik. Për kompaninë “Kontakt” sh.p.k., SPAK kërkoi një gjobë prej 600 mijë lekësh.
Për të pandehurën Ina Goxhaj u kërkua dënimi me 8 muaj burg për korrupsion dhe 4 vite e 8 muaj burg për pastrim parash, ndërsa prokuroria kërkoi pezullimin e dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për pesë vjet.
Një nga kërkesat më të rënda ishte ajo ndaj Elman Abules, për të cilin SPAK kërkoi 4 vite e 8 muaj burg për pastrim parash, si dhe gjobë prej 12 milionë lekësh për kompaninë e tij “Rametal” sh.p.k.
Po ashtu, për ish-punonjësin e Policisë së Shtetit, Fatjon Baçi, u kërkua dënimi me 3 vite e 4 muaj burg, me pezullim të ekzekutimit dhe vendosje në shërbim prove për katër vjet.
Gjatë seancës, mbrojtja e Elman Abules kërkoi transferimin e çështjes në një gjykatë të juridiksionit të përgjithshëm, por kërkesa u kundërshtua nga SPAK dhe u rrëzua nga gjykata si e pabazuar.
Seanca e radhës është caktuar për më 15 qershor, kur të pandehurit dhe avokatët e tyre do të paraqesin konkluzionet përfundimtare. Ndërkohë, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe 19 të pandehur të tjerë do të vijojnë të gjykohen në një proces të veçantë me procedurë të zakonshme.
