Artan Hoxha: Protesta ka nevojë për një plan të qartë, nuk mjafton vetëm kërkesa për dorëheqjen e Ramës

Data

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimin e protestës qytetare, duke vlerësuar se pas më shumë se 40 ditësh mobilizim mbështetja ka ardhur duke u zbehur, kryesisht për shkak të mungesës së një strategjie të qartë nga organizatorët.

I ftuar në një emision televiziv, Hoxha u shpreh se protesta përbën një moment të rëndësishëm qytetar, por theksoi se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama duhet të shoqërohet me një plan konkret për hapat që do të ndiqen më tej.

Sipas tij, organizatorët ende nuk kanë qartësuar se kush e drejton lëvizjen, cilat janë objektivat afatgjata dhe si synojnë t’i arrijnë ato.

“U deshën 36 vjet që më në fund Tirana të dilte në bulevard dhe ky ishte një shans që nuk duhej humbur. Kam frikë se ky besim i madh i qytetarëve mund të shpërdorohet nëse mungon një drejtim i qartë,” u shpreh Hoxha.

Ai vuri në dukje se protesta ka ndryshuar krahasuar me ditët e para, jo vetëm për nga pjesëmarrja, por edhe për nga kauzat që përfaqëson. Sipas gazetarit, nëse një kryeministër nuk jep dorëheqjen, organizatorët duhet të kenë të parashikuar edhe skenarë të tjerë veprimi.

Hoxha shtoi se muajt korrik dhe gusht janë të vështirë për të mbajtur të njëjtin ritëm mobilizimi, për shkak të sezonit veror dhe pushimeve, ndaj nuk përjashtoi mundësinë që protesta të ndërpritet për t’u rikthyer me më shumë forcë në shtator.

Duke folur për idetë e përshkallëzimit të protestës, ai u shpreh se demonstrimi i forcës duhet të bazohet te pjesëmarrja masive e qytetarëve dhe jo te veprimet e grupeve të vogla.

“Një protestë me mijëra qytetarë ka më shumë efekt sesa një grup i vogël që përballet me policinë. Përshkallëzimi me pak njerëz i ka shërbyer më shumë qeverisë sesa protestuesve,” tha Hoxha.

Në përfundim, gazetari shprehu shpresën që lëvizja qytetare të riorganizohet dhe të rikthehet më e fuqishme në vjeshtë, duke marrë si shembull protestat që janë zhvilluar në Serbi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related