“De Volkskrant”: ‘Albanian Files’ i shtoi zemërimin ndaj Ramës, protestat shkojnë përtej çështjeve mjedisore

Data

Gazeta holandeze “De Volkskrant” i ka kushtuar një analizë protestave që prej javësh po zhvillohen në Shqipëri, duke vlerësuar se botimi “Albanian Files” ka ushqyer më tej debatin publik dhe ka shtuar kritikat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Sipas artikullit, protestat që nisën si kundërshtim ndaj projektit për zhvillimin e ishullit të Sazanit dhe zonës së Zvërnecit janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë, ku qytetarët shprehin pakënaqësi për modelin e zhvillimit urban, projektet e mëdha të ndërtimit dhe mënyrën e vendimmarrjes.

Gazeta shkruan se Shqipëria është parë prej vitesh si një “laborator” për arkitektët e njohur ndërkombëtarë, ndërsa një pjesë e kritikëve pretendojnë se identiteti urban i Tiranës po ndryshon pa përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Në fokus të artikullit është edhe libri “Albanian Files”, një botim që përmbledh projekte të realizuara nga rreth 60 studio të huaja arkitekture. Sipas “De Volkskrant”, polemikat u shtuan pas publikimit të një letre satirike nga arkitekti holandez Reinier de Graaf, e cila u interpretua nga një pjesë e opinionit publik si mbështetje politike për kryeministrin Rama.

Artikulli citon arkitektet shqiptare Dorina Pllumbi dhe Klodiana Millona, të cilat shprehen se botimi ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësi të akumuluara prej kohësh lidhur me zhvillimin urban, prishjen e ndërtesave ekzistuese, ndërtimin e kullave të reja dhe rolin e arkitektëve të huaj në projektet publike.

Sipas gazetës, debati lidhet edhe me pyetjet mbi transparencën e projekteve të mëdha të ndërtimit dhe mënyrën e përzgjedhjes së tyre. Në artikull përmendet se Prokuroria e Posaçme (SPAK) po zhvillon hetime mbi disa projekte të lidhura me investimet në bregdet.

“De Volkskrant” i referohet edhe reagimit të kryeministrit Edi Rama, i cili në podcastin “Flasim” ka deklaruar se përmbajtja e librit është keqinterpretuar dhe është përdorur si pjesë e një fushate kundër botimit.

Ndërkohë, arkitekti Reinier de Graaf ka sqaruar më vonë se letra e tij ishte shkruar në formë satire dhe synonte të hapte një debat mbi marrëdhënien mes arkitekturës dhe pushtetit, duke theksuar se ironia ishte keqkuptuar nga një pjesë e publikut.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related