Meta për rekomandimin e Helsinkit: Mbajtja në kafaz është e pabazuar në ligj dhe cenon procesin e drejtë

Data

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas rekomandimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhur me përdorimin e kafazeve prej xhami për të paraburgosurit gjatë seancave gjyqësore, duke e cilësuar këtë qëndrim si një konfirmim të pretendimeve të tij të mëhershme.

Në një reagim publik, Meta theksoi se raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit vlerëson se mbajtja automatike e të paraburgosurve në kafaze prej xhami është e pambështetur në ligj dhe në kundërshtim me standardet e një procesi të rregullt gjyqësor.

Sipas tij, ky vlerësim rrëzon argumentet dhe justifikimet që, sipas Metës, janë përdorur deri tani nga Gjykata e Posaçme për të mbajtur në fuqi këtë praktikë.

“Dinjiteti njerëzor, prezumimi i pafajësisë, barazia e palëve në gjykim dhe e drejta për një mbrojtje efektive nuk mund të cenohen në emër të praktikave përjashtimore”, u shpreh Meta.

Ai argumentoi se praktika e përdorimit të kafazit të xhamit krijon perceptim publik të fajësisë dhe bie ndesh me standardet europiane për të drejtat e njeriut. Meta shtoi se Shqipëria, si vend anëtar i Këshillit të Europës dhe aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian, duhet të respektojë plotësisht Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Meta vlerësoi Komitetin Shqiptar të Helsinkit për, sipas tij, objektivitetin, profesionalizmin dhe integritetin e treguar në mbrojtje të lirive themelore.

Ai bëri të ditur se edhe gjatë seancës së fundit gjyqësore ka kërkuar heqjen e kësaj mase, jo vetëm për veten, por për të gjithë të pandehurit që nuk akuzohen për terrorizëm, krime kundër njerëzimit apo vepra të tjera me rrezikshmëri të lartë.

“Ky standard duhet të vlejë për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Praktikat që cenojnë prezumimin e pafajësisë nuk kanë vend në një shtet të së drejtës”, përfundoi Meta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related