Armatim, drogë dhe makinë e vjedhur, Policia godet grupin në Shkodër: një i arrestuar, një tjetër në arrati

Data

Policia e Shkodrës ka finalizuar një operacion për kapjen e personave në kërkim, ku është arrestuar një 25-vjeçar dhe është shpallur në kërkim një tjetër shtetas.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi S. C., 25 vjeç, banues në Shkodër, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit të koduar “Livadhet”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, u bë e mundur lokalizimi dhe arrestimi i 25-vjeçarit. Ndërkohë, B. B., 39 vjeç, gjithashtu banues në Shkodër, është shpallur në kërkim.

Policia rikujton se më 29 prill 2025, gjatë një kontrolli në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale një armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe një automjet tip “Toyota Hilux” pa targa, i fshehur rreth 100 metra larg ambientit. Pas verifikimeve, automjeti rezultoi i vjedhur në qytetin e Durrësit.

Policia bën me dije se vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related