Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, Ernal Filo, ka rrëfyer momentet dramatike të sulmit rus me raketa që goditi kompleksin rezidencial ku ai banon në Kiev.
Në një lidhje direkte televizive, Filo deklaroi se sulmi ishte ndër më të rëndët që ka përjetuar kryeqyteti ukrainas dhe se situata ishte tepër e frikshme.
“Goditja ishte shumë e fuqishme dhe shumë e frikshme”, u shpreh ambasadori shqiptar.
Sipas tij, sulmi nisi rreth orës 22:00 të mbrëmjes dhe vijoi deri në orët e para të mëngjesit. Ai tregoi se në kompleksin ku banon është i vetmi përfaqësues diplomatik.
Filo tha se autoritetet japin vazhdimisht sinjalizime dhe informacione sigurie, por këtë herë intensiteti i sulmit ishte i pazakontë.
“Ne marrim informacione nga burime shumë të besueshme dhe zbresim në vende të sigurta, por këtë radhë ishte vërtet e frikshme”, deklaroi ai.
Ambasadori shtoi se nga shpërthimet janë dëmtuar fasada e godinës ku jeton, ndërsa ndërtesa ngjitur ka pësuar dëmtime më të rënda, duke përfshirë edhe çarje në katet e parkimit.
Ai bëri të ditur se çështja e qëndrimit në të njëjtin kompleks do të diskutohet me institucionet shqiptare.
Filo tregoi gjithashtu se ka pasur kontakte të vazhdueshme me autoritetet ukrainase pas sulmit.
“U kam thënë se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe ata e vlerësojnë këtë”, tha ambasadori.
Duke përshkruar situatën në terren, ai tregoi se banorët u larguan në panik, ndërsa shumë fëmijë nisën të qanin nga frika.
“Njerëzit në Ukrainë janë mësuar me sulme, por në këto përmasa nuk ishte parë ndonjëherë”, përfundoi Filo.
