Gjashtë muaj pas luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit për programin bërthamor, autoritetet izraelite po sinjalizojnë mundësinë e një përshkallëzimi të ri të situatës, për shkak të përpjekjeve të Teheranit për të rindërtuar arsenalin e tij të raketave balistike.
Gjatë një ceremonie diplomimi për pilotët e Forcave Ajrore Izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli po monitoron nga afër riarmatimin e Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit dhe se do të veprojë nëse kërcënimet rriten.
“Ne nuk kërkojmë konflikt, por i kemi sytë hapur ndaj çdo rreziku të mundshëm”, u shpreh Netanyahu, duke theksuar se siguria e Izraelit mbetet prioritet absolut.
Në të njëjtën ceremoni, edhe ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Forcave Ajrore theksuan se Izraeli është i përgatitur të ndërmarrë veprime parandaluese për të frenuar çdo kërcënim të ri që mund të vijë nga rajoni.
Deklaratat vijnë në një moment kur Netanyahu pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për një takim me presidentin amerikan Donald Trump. Sipas burimeve izraelite, në axhendën e këtij takimi do të jetë edhe vlerësimi i përparimit të Iranit në fushën e raketave balistike, si dhe mundësia e veprimeve të mëtejshme ushtarake.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se cili do të jetë qëndrimi i administratës amerikane ndaj një skenari të ri përplasjeje. Uashingtoni ka shprehur dëshirën që Izraeli të fokusohet në konsolidimin e armëpushimit në Gaza dhe në uljen e tensioneve me qeverinë e re në Siri.
Presidenti Trump ka deklaruar më herët se bombardimet amerikane gjatë verës shkatërruan objektet kryesore bërthamore të Iranit dhe hapën rrugën për paqe në rajon. Ai e ka paralajmëruar Teheranin të mos rindërtojë kapacitetet bërthamore, por nuk ka bërë deklarata të drejtpërdrejta lidhur me programin e raketave balistike.
Nga ana e Shtëpisë së Bardhë, është theksuar se çdo përpjekje e Iranit për të siguruar armë bërthamore do të përballej me reagim të ashpër. Megjithatë, çdo sulm i mundshëm izraelit ndaj objektivave iraniane do të kërkonte të paktën miratimin e heshtur të Uashingtonit, pasi Izraeli do të kishte nevojë për mbështetje amerikane për t’u mbrojtur nga një kundërpërgjigje e mundshme me raketa nga Irani.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa rajoni vazhdon të jetë nën hijen e një konflikti të ri potencial.
