Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar paraditen e së mërkurës, më 25 dhjetor, në lagjen nr. 2 të qytetit të Kavajës, ku pronari i një biznesi është plagosur me thikë.
Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Artur Ligeja, pronar i një supermarketi, agjencie udhëtimesh dhe disa aktiviteteve të tjera tregtare, është sulmuar brenda ambientit të biznesit të tij. Autori i dyshuar, Eri Velecia, i ka kërkuar para, por pas refuzimit ka nxjerrë një mjet prerës duke krijuar panik mes klientëve të pranishëm.
Gjatë përplasjes, Ligeja është përpjekur të mbrohet me duar, duke pësuar lëndime, ndërsa edhe vetë autori ka mbetur i plagosur. Të dy janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Burime policore bëjnë me dije se autori është ndaluar dhe shoqëruar në komisariat, ndërsa njihet nga autoritetet si përdorues i lëndëve narkotike. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
