Tiranë po përballet me një situatë shqetësuese mjedisore, ndërsa niveli i ndotjes së ajrit vijon të mbetet shumë mbi standardet ndërkombëtare të sigurisë për shëndetin publik.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma globale IQAir, kryeqyteti shqiptar renditet i 1990-ti ndër 9,446 qytete të monitoruara në botë për ndotjen e ajrit, duke reflektuar një problem të vazhdueshëm me cilësinë atmosferike.
Të dhënat për grimcat e imta PM2.5 tregojnë se, edhe pse në vitin 2025 është regjistruar një ulje e lehtë me mesatare 12.9 µg/m³, niveli mbetet më shumë se dyfishi i kufirit të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila sugjeron maksimumin prej 5 µg/m³.
Historiku i viteve të fundit tregon se ndotja ka mbetur në nivele të larta:
- 16.0 µg/m³ në vitin 2020
- 12.5 µg/m³ në vitin 2021
- 14.5 µg/m³ në vitin 2022
- 16.7 µg/m³ në vitin 2023
- 14.5 µg/m³ në vitin 2024
Ekspertët paralajmërojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj grimcave PM2.5 lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të mushkërive, probleme kardiovaskulare dhe dëmtime afatgjata të shëndetit.
Një tjetër raport i publikuar nga organizata Co-PLAN në mars 2025 evidenton se zonat më problematike në Tiranë janë Ish-Stacioni i Trenit, Kombinati, Unaza dhe Rruga e Elbasanit, ku nivelet e PM2.5, PM10 dhe dioksidit të azotit mbeten vazhdimisht të larta.
Raporti ngre shqetësime edhe për ndotjen akustike, duke theksuar se trafiku i rënduar dhe planifikimi urban i pakontrolluar kanë sjellë nivele zhurme që tejkalojnë kufijtë e rekomanduar për mirëqenien dhe gjumin e qytetarëve.
Ekspertët kërkojnë masa urgjente për transportin publik, kufizimin e ndotjes urbane dhe shtimin e hapësirave të gjelbra, për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës mjedisore në kryeqytet.
