Përplasje të dhunshme në Beograd pas protestës studentore kundër Aleksandar Vučić, policia përdor gaz lotsjellës pranë pallatit presidencial

Data

Situata është tensionuar në Beograd pas përfundimit të një proteste masive studentore kundër qeverisë së Aleksandar Vučić, ku janë regjistruar incidente dhe përplasje me policinë pranë pallatit presidencial.

Sipas raportimeve, një grup protestuesish u përpoq të afrohej drejt parkut ku mbështetësit e Vuçiçit kishin ngritur kampe që prej mëngjesit. Forcat e rendit ndërhynë për t’i larguar, ndërsa situata degradoi pasi disa protestues hodhën objekte drejt policisë.

Për shpërndarjen e turmës, policia përdori granata kimike dhe mjete të tjera për kontrollin e trazirave. Pas mesnatës, situata u qetësua gradualisht, ndërsa një numër i madh forcash policore mbetën të dislokuara në zonën përreth presidencës serbe.

Më herët gjatë ditës, studentët organizuan një nga protestat më të mëdha antiqeveritare të muajve të fundit, nën sloganin “Studentët do të fitojnë”, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe reforma kundër korrupsionit.

Në tubim morën pjesë profesorë universiteti, aktorë dhe gjyqtarë të shkarkuar, të cilët deklaruan se “Serbia duhet të bëhet shtet ligjor dhe jo shtet mafioz”.

Lëvizja studentore ka nisur protestat që në dhjetor 2024, pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit akuzojnë autoritetet për korrupsion, mungesë transparence dhe neglizhencë institucionale.

Në muajin maj 2025, studentët paralajmëruan se mund të garojnë edhe me një listë të pavarur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pa përfshirjen e figurave tradicionale politike.

Tubimi i fundit konsiderohet ndër më të mëdhenjtë pas protestës së 15 marsit 2025, ku opozita dhe organizatorët pretenduan se gjatë shpërndarjes së turmës ishte përdorur edhe një “top zëri”, çështje që shkaktoi reagime dhe shqetësim edhe në Bashkimi Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related