Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka depozituar kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviç, pas deklaratave të saj lidhur me Kosovën dhe luftën e vitit 1998.
Sipas Gërvallës, deklaratat e ministres serbe, e cila është shprehur se nëse do të kishte pasur mundësi do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998, nuk mund të konsiderohen thjesht si retorikë politike, pasi sipas saj ato përbëjnë justifikim të spastrimit etnik dhe dëbimit të një populli.
Pas depozitimit të kallëzimit, Gërvalla deklaroi se ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale ndaj ministres serbe.
“Këto deklarata publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike, pasi mbartin pasoja të rënda historike, juridike dhe njerëzore”, u shpreh Gërvalla.
Ajo theksoi gjithashtu se Serbia, sipas saj, ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe përmendi pasojat e konfliktit, duke iu referuar viktimave civile, personave të zhdukur dhe dëbimeve masive.
“Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10 mijë civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, ndërsa qindra mijëra qytetarë u dëbuan me dhunë”, deklaroi ministrja në detyrë e Jashtme e Kosovës.
Deklaratat e Snezhana Paunoviç kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht, ndërsa autoritetet kosovare kanë kërkuar që ndaj saj të ndërmerren masa ligjore dhe politike.
