Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar datën 9 mars për nisjen e gjykimit të dosjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca e parë e themelit do të zhvillohet në orën 09:30 dhe do të kryesohet nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, ndërsa në trupin gjykues do të jenë edhe gjyqtaret Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Më 9 shkurt, GJKKO vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave dhe subjekteve të tjera të përfshira në hetim.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) dorëzoi kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim rreth pesë muaj më parë.
Sipas SPAK, ndaj Veliajt janë ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Pjesa më e madhe e akuzave lidhet me korrupsion pasiv të kryer në nëntë raste, në raport me kompani që sipas hetimit kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në nëntë raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe disa biznesmenë, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, si dhe për fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.
Ndërkohë, ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa Fatjon Baci, gardian në burgun e Durrësit, akuzohet për futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, pasi dyshohet se i ka dhënë telefon Veliajt gjatë transferimit nga qelia në gjykatë.
