Nga qelia e burgut, Ilir Beqaj kërkon kontroll parlamentar ndaj SPAK: “Pavarësia nuk përjashton llogaridhënien”

Data

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet në paraburgim në burgun e Durrësit, ka reaguar përmes avokatit të tij duke kritikuar mënyrën e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Në deklaratën e tij publike, Beqaj u është drejtuar deputetëve të mazhorancës socialiste, duke kërkuar që ata të ushtrojnë një kontroll më të fortë parlamentar ndaj këtij institucioni dhe të mos i trajtojnë seancat e raportimit të SPAK-ut si procedura formale.

Në qendër të pretendimeve të tij është interpretimi i nenit 260 të Kodit Penal për “korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë”. Beqaj pretendon se SPAK ka zgjeruar rrethin e personave që përfshihen në këtë kategori përtej kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale.

“Edhe norma kushtetuese, edhe norma e procedurës penale janë të qarta dhe shteruese. Ato i përcaktojnë kornizën prokurorit dhe nuk i japin lirinë as të deduktojë, as të përjashtojë sipas dëshirës”, shprehet Beqaj në letrën e tij.

Ish-ministri ka përmendur edhe raste ku, sipas tij, vendimet e Gjykatës së Posaçme kanë kundërshtuar interpretimet e SPAK-ut për statusin e disa zyrtarëve si “subjekte të posaçme”.

Sipas Beqajt, pavarësia e prokurorisë është një parim kushtetues, por ajo duhet të shoqërohet me mekanizma llogaridhënieje.

“Pavarësia e prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale është një garanci kushtetuese, por pavarësia nuk e përjashton llogaridhënien institucionale për mënyrën se si interpretohen dhe zbatohen normat procedurale”, deklaroi ai.

Në fund të qëndrimit të tij, Beqaj ngriti pyetje mbi rolin e kontrollit parlamentar ndaj institucioneve të pavarura, duke kërkuar që raportimet publike të SPAK-ut të shoqërohen me diskutime dhe verifikime reale mbi zbatimin e ligjit.

Deklaratat e ish-ministrit vijnë ndërsa ai përballet me një proces penal, ndërsa SPAK vijon hetimet dhe ndjekjet penale ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të niveleve të ndryshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related