Rama për protestat: “Po dëgjojmë shqetësimet, një grup i posaçëm po mban çdo shënim”

Data

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që po zhvillohen prej 43 ditësh në vend, duke deklaruar se qeveria po ndjek me vëmendje shqetësimet e qytetarëve dhe se është ngritur një grup i posaçëm për t’i analizuar ato.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Rama bëri dallimin mes protestuesve paqësorë dhe atyre që, sipas tij, synojnë të manipulojnë situatën.

“Angazhohen tufa sorrash dhe laraskash që më akuzojnë se po sulmoj popullin që paska dalë në shesh, apo se po shaj rininë që qenka zgjuar. Absolutisht jo. Unë e kam bërë dallimin mes ditës së flamingos dhe natës së korbit e sorrës,” u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se nuk paragjykon qytetarët që protestojnë për kauza të ndryshme.

“Nuk kam paragjykuar ata qytetarë që dolën të protestojnë paqësisht, sepse duan një mjedis më të mbrojtur. Nuk mund të paragjykoj njerëzit që kërkojnë një shtet më të drejtë në tërësinë e vet,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se kërkesat e qytetarëve po analizohen nga një grup i ngritur posaçërisht për këtë qëllim.

“Shoqëria kërkon gjithmonë e më shumë. Po dëgjojmë me shumë vëmendje. Një grup i mbledhur enkas po mban çdo shënim. Hap pas hapi do t’i komunikojmë me njerëzit e zakonshëm dhe të ndershëm të këtij vendi,” përfundoi kryeministri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related