Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërhyrë në tregun informal të Milotit, ku janë konstatuar shkelje të rënda të kushteve higjeno-sanitare.
Gjatë aksionit janë sekuestruar sasi mishi dhe produkte bulmeti që tregtoheshin në mënyrë të paligjshme, të ekspozuara në mes të baltës, pa kushte frigoriferike dhe pa standarde minimale sigurie ushqimore, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.
Sipas AKU-së, tregu i Milotit, që funksionon kryesisht ditëve të diela, nuk përmbush asnjë kriter ligjor dhe higjeno-sanitar të parashikuar nga ligji.
Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë edhe në zona të tjera, ndërsa çdo subjekt që shkel rregullat e sigurisë ushqimore do të ndëshkohet sipas ligjit.
