Dokumenti i SPAK me firmën e Altin Dumanit: Kërkohet autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Belinda Ballukut

Data

Është zbardhur shkresa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me firmën e kreut të saj Altin Dumani, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkohet dhënia e autorizimit për arrestimin dhe heqjen e lirisë së zv/kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Sipas dokumentit, SPAK i kërkon Kuvendit zëvendësimin e masave aktuale të sigurimit personal ndaj Ballukut, konkretisht “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, me masën më të rëndë të sigurisë “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”.

Në shkresë theksohet se bashkëlidhur janë dërguar edhe relacioni i arsyetuar me provat përkatëse, si dhe urdhri për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, i datës 16 dhjetor 2025.

Akuzat ndaj Ballukut

SPAK bën me dije se Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Gjithashtu, ajo është person nën hetim për të njëjtën vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik, që lidhen me projekte madhore infrastrukturore në Tiranë, përfshirë:

  • Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës (Loti 1 dhe QMT)
  • Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri (Loti 2)
  • Segmenti Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë
  • Ndërtimi i Unazës së Jashtme të Tiranës (Lotet 4, 5, 6 dhe 7)

Hapat që do të ndjekë Kuvendi

Kërkesa e SPAK pritet të shqyrtohet më 19 dhjetor nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, përpara se t’i kalojë seancës plenare për vendimmarrje.

Sipas Rregullores së Kuvendit, deputetja Balluku ka të drejtë të paraqesë shpjegimet dhe mbrojtjen e saj në Këshillin e Mandateve, përfshirë përfaqësimin me avokat. Brenda dy javëve, Këshilli duhet të hartojë një raport që rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për arrestim.

Vendimi përfundimtar merret në seancë plenare me votim të hapur. Në rast se Kuvendi nuk merr vendim brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, ajo konsiderohet automatikisht e rrëzuar.

SPAK: Kërkesë për procedim të mëtejshëm ligjor

SPAK thekson se kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit kushtetues për vijimin e procedimit penal, duke nënvizuar se çështja lidhet me dyshime për korrupsion në tendera publikë me vlerë shumë të lartë financiare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related