Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin arritur një marrëveshje, por sipas tij, Teherani e shkeli atë vetëm një orë më vonë duke lëshuar një dron drejt një anijeje tregtare.
Në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të NBC-së, Trump tha se pala iraniane kishte pranuar kushtet e vendosura nga SHBA, përfshirë heqjen dorë nga programi bërthamor.
“Ne zhvilluam takime me ta. Ata ranë dakord për një marrëveshje dje – një marrëveshje perfekte për ne. Pa armë bërthamore, pa asgjë. Ata hoqën dorë nga gjithçka. Më pas dolën nga salla dhe, brenda një ore, lëshuan një dron drejt një anijeje,” deklaroi Trump.
Presidenti amerikan shtoi se reagimi i SHBA-së ishte i menjëhershëm.
“U thashë: ‘Ju jeni njerëz të sëmurë. Jeni njerëz shumë, shumë të këqij dhe të sëmurë’. Ne i bombarduam mbrëmë,” u shpreh ai.
Trump përsëriti gjithashtu deklaratën e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), duke theksuar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për trafikun tregtar, pavarësisht tensioneve të fundit në rajon.
