Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi zhvillimin urgjent të një mocioni me debat në Kuvend për protestat dhe kërkesat e qytetarëve, duke akuzuar mazhorancën se po refuzon të përballet me situatën.
Në fjalën e tij, Blushi iu drejtua deputetëve të Partisë Socialiste me thirrjen që, sipas tij, të dëgjojnë zërin e protestuesve dhe të mos injorojnë kërkesat e tyre.
“Hapni sytë dhe veshët dhe dëgjoni zërin e qytetarëve ose tregoni për çfarë ju ka marrë peng Edi Rama që s’keni as kurajon që pati Marjana Koçeku. Edi Rama nuk mund t’u fshihet më sovranit dhe llogaridhënies”, deklaroi ai.
Blushi theksoi se në seancat plenare duhet të diskutohen kërkesat e protestuesve, duke kërkuar që kryeministri Edi Rama të paraqitet në Kuvend për një debat të drejtpërdrejtë.
“Meqenëse Rama nuk ka as guxim dhe as këllqe të ballafaqohet me shqiptarët në shesh, të vijë të përballet në Kuvend urgjentisht”, u shpreh ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë propozoi gjithashtu miratimin e një ndryshimi kushtetues që do të kufizonte mandatin e kryeministrit në maksimum dy mandate.
“Të votohet urgjentisht në Kuvend ndryshimi kushtetues për kufizimin e mandatit të Kryeministrit në vetëm dy mandate. Partia e Lirisë shpreh vullnetin për ta miratuar menjëherë këtë ndryshim kushtetues”, deklaroi Blushi.
Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje deputetëve socialistë të distancohen nga kryeministri, duke i ftuar, sipas shprehjes së përdorur prej tij, të kenë “kurajon që pati Marjana Koçeku”, ndërsa kërkoi edhe reagimin e Kuvendit për kërcënimet që, sipas tij, janë bërë ndaj aktivistes së njohur si Neomalesorja.
