Zhupa: 2 milionë euro për të betonizuar Banjat e Bënjës, kush do të mbajë përgjegjësi për dëmin?

Data

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjeve që po kryhen në zonën e Banjave të Bënjës, duke i cilësuar ato si një shkatërrim të një prej pasurive natyrore dhe turistike më të rëndësishme të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa publikoi pamje nga punimet në terren dhe akuzoi institucionet se po shpenzojnë rreth 2 milionë euro fonde publike për një projekt që, sipas saj, po dëmton ekosistemin dhe identitetin natyror të zonës.

Deputetja theksoi se kjo nuk është hera e parë që investohet në Banjat e Bënjës, duke kujtuar se një ndërhyrje e mëparshme me vlerë rreth 200 mijë euro, sipas saj, rezultoi e pasuksesshme dhe nuk u realizua sipas projektit të prezantuar.

“Këtë video ma ka dërguar një qytetar, i cili denoncon gjendjen alarmante dhe dëmet që po i bëhen Banjave të Bënjës, një prej perlave më të rralla natyrore dhe turistike të vendit”, shkruan Zhupa.

Sipas saj, burimet termale, Kanionet e Langaricës dhe peizazhi karakteristik i zonës janë një pasuri që duhet të mbrohet dhe të promovohet, jo të betonizohet.

Zhupa ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke theksuar se, në vend që të kërkohej përgjegjësi për dështimin e investimit të parë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi një tjetër tender me vlerë rreth 2 milionë euro për ndërhyrje në të njëjtën zonë.

“Në vend të ruajtjes së natyrës, po ndërhyhet në mënyrë agresive në një ekosistem unik. Kjo nuk është ndërhyrje restauruese, por shpërdorim fondesh publike dhe mungesë përgjegjshmërie”, deklaroi ajo.

Në përfundim të reagimit, deputetja demokrate kërkoi transparencë dhe llogaridhënie për dëmet e shkaktuara, duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për fondet e shpenzuara dhe për degradimin e një prej destinacioneve më të njohura natyrore të Shqipërisë.

“Banjat e Bënjës nuk kanë nevojë për beton, por për mbrojtje, menaxhim të kujdesshëm dhe investime që respektojnë natyrën, historinë dhe identitetin e tyre”, përfundoi Zhupa.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related