“Hapet sipari i revoltës” Berisha: Sot kryengritje paqësore, protestat shtrihen deri në ambasada

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar skenarin e protestës së sotme të opozitës, duke e cilësuar atë si fillimin e një kryengritjeje të fuqishme paqësore kundër qeverisë Rama.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se tubimi i sotëm shënon një fazë të re të aksionit opozitar, që nuk do të kufizohet vetëm brenda Shqipërisë, por do të shtrihet edhe përpara përfaqësive diplomatike shqiptare jashtë vendit.

“Skenari i protestës është skenari i një kryengritjeje të fuqishme paqësore. Sot hapet sipari i një vale protestash që do të çohen në Bruksel, Berlin dhe në qendrat e tjera ku jetojnë shqiptarët,” deklaroi Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapje të shtetit dhe për rrezikimin e procesit të integrimit europian, duke e cilësuar situatën aktuale si pasojë e asaj që e quajti “faza e dytë e një grushti shteti”.

Sipas Berishës, protesta e sotme vjen pas sinjaleve të forta nga Brukseli, të cilat ai i interpretoi si refuzim të qeverisjes aktuale. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të organizohen dhe të marrin pjesë masivisht në protestat që do të pasojnë, përfshirë edhe ato para ambasadave.

“Këto protesta janë jetike. Ato do t’i tregojnë botës se opozita dhe qytetarët përfaqësojnë vullnetin e vërtetë të popullit shqiptar,” theksoi ai.

Protesta e sotme pritet të mbahet në orët e pasdites, nën masa të shtuara sigurie, ndërsa opozita paralajmëron se ky është vetëm fillimi i një përballjeje të gjatë politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related