Dimër ekstrem në Rusi: Autostrada të mbyllura, fluturime të anuluara dhe qytete të bllokuara nga bora

Data

Lindja e Largët e Rusisë dhe pjesë të mëdha të Azisë po përballen me reshjet më të dendura të dëborës në rreth 60 vjet, ndërsa një valë e fortë e të ftohtit nga Arktiku ka përfshirë kontinentin. Kushtet ekstreme kanë sjellë kaos në transport dhe bllokim të qyteteve të tëra.

Në disa rajone janë mbyllur autostrada kryesore, aeroportet kanë mbetur të paralizuara dhe qindra fluturime janë anuluar. Zona të tëra në Lindjen e Largët Ruse janë izoluar, ndërsa pasagjerë të shumtë kanë mbetur të bllokuar në aeroporte në Japoni dhe Kinë.

Sipas shkencëtarëve, fenomeni lidhet me depërtimin e njëkohshëm të masave shumë të ftohta ajrore nga Arktiku. Klimatologët shpjegojnë se dobësimi i vorbullës polare ka lejuar që ajri ekstremisht i ftohtë të zbresë në gjerësi më jugore se zakonisht.

Situata më e rëndë raportohet në Gadishullin Kamçatka, ku stuhitë e borës kanë varrosur automjete dhe kanë bllokuar hyrjet e ndërtesave. Në disa zona janë regjistruar mbi 2 metra dëborë vetëm në gjysmën e parë të janarit, ndërsa në dhjetor trashësia kishte arritur deri në 3.7 metra. Në qytetin Petropavlovsk-Kamçatsky, banorët janë detyruar të ecin mes maleve të borës, që arrijnë deri në lartësinë e semaforëve.

I njëjti sistem moti është zhvendosur më në jug, duke sjellë reshje të rralla dëbore edhe në Shangai, ku autoritetet paralajmërojnë se temperaturat e ulëta do të zgjasin të paktën tre ditë. Ky qytet kishte përjetuar reshje të tilla për herë të fundit në janar 2018, ndërsa vetëm një javë më parë temperaturat kishin shkuar deri në 20 gradë Celsius.

Në Japoni, erërat e forta dhe dëbora e dendur kanë shkaktuar anulime masive fluturimesh dhe ndërprerje të udhëtimeve, veçanërisht në zonat veriperëndimore. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë për përkeqësim të situatës deri më 25 janar dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Kompani ajrore të mëdha kanë anuluar dhjetëra fluturime, duke prekur mijëra pasagjerë, kryesisht në aeroportet e veriut të vendit. Autoritetet në të gjithë rajonin mbeten në gatishmëri, ndërsa pritet që moti ekstrem të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related