Bardhi: Mazhoranca i frikësohet debatit për raportin e PE, po sulmon protestuesit në vend që të dëgjojë qytetarët

Data

Kërkesa e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat mbi protestat qytetare dhe raportin e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë ka shkaktuar përplasje të forta në Konferencën e Kryetarëve.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi se Kuvendi është shkëputur nga realiteti, ndërsa përballë godinës së Parlamentit, sipas saj, prej javësh zhvillohen protesta me kërkesa konkrete për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.

Në vijim të debatit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po shmang me qëllim diskutimin mbi raportin e Parlamentit Europian, duke argumentuar se dokumenti përmban kritika të forta ndaj qeverisë.

“Ju keni tmerr nga debati për raportin e Parlamentit Europian. Ju nxin në çdo fjali. Keni qenë vetë ju që keni thënë se mocioni do të zhvillohej pasi raporti të miratohej. Tani që është miratuar, i fshiheni debatit”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, raporti ngre shqetësime për korrupsionin, ligjet klienteliste, lirinë e medias dhe mënyrën se si, sipas opozitës, mazhoranca ka mbrojtur zyrtarë të akuzuar për korrupsion.

“Raporti ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon për ligjet me porosi dhe ligjet klienteliste, si dhe ngre alarmin për lirinë e medias”, u shpreh ai.

Bardhi theksoi se opozita nuk synon të përfaqësojë protestën, por të sjellë në Kuvend shqetësimet e qytetarëve.

“Ne nuk kemi pretenduar të bëhemi zëdhënës të protestës. Ne dëgjojmë qytetarët dhe përcjellim shqetësimet e tyre”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar demokrat akuzoi përfaqësuesit e mazhorancës për sulme ndaj protestuesve dhe për shmangie të debatit publik mbi zhvillimet politike në vend.

“Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit”, deklaroi Bardhi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related