Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal, i dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, grupi dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian gjatë viteve 2019-2021. Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 138 të vitit 2020 dhe janë mbështetur nga bashkëpunimi me agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare.
Me vendim të GJKKO-së, ndaj 10 shtetasve shqiptarë është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Deri tani është ekzekutuar masa ndaj Florjan Musajt, ndërsa kërkimet vijojnë për dy persona që dyshohet se ndodhen në Shqipëri. Shtatë të tjerë rezultojnë jashtë territorit shqiptar dhe për arrestimin e tyre SPAK po bashkëpunon me autoritetet e vendeve të tjera.
Personat ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë janë: Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika dhe Shpëtim Aliu.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë dokumentuar pesë episode të trafikut të kokainës, ku në total janë sekuestruar 8 tonë e 960 kilogramë lëndë narkotike në Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe Kolumbi. Destinacionet kryesore të ngarkesave dyshohet se ishin vendet e Bashkimit Europian.
Hetimet kanë zbuluar se të ardhurat e përfituara nga trafiku i drogës janë transferuar në Shqipëri kryesisht në formë “cash” dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, kompani ndërtimi, hoteleri, konsulencë dhe aktivitete të tjera tregtare.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, është vendosur sekuestrimi preventiv i 491 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe 209 llogarive bankare. Pasuritë e sekuestruara përfshijnë kompani, kuota shoqërish, hotele, vila, apartamente, toka, automjete, mjete lundruese dhe asete të tjera.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 milionë euro, ndërsa SPAK bën me dije se gjatë hetimeve do të përcaktohet vlera e saktë e tyre.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Eurojust, Europol, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Ekuadorit, Francës, Kolumbisë, Holandës, NCA-së dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
SPAK thekson se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e pasurive të dyshuara si produkt i veprimtarisë kriminale.
