Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Moisi Habilajn, i arrestuar më 13 qershor në zonën e Borshit pas vitesh në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Gjatë seancës gjyqësore, Habilaj zgjodhi të mos japë deklarime para gjyqtares Elsa Ulliri. Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata vendosi të konfirmojë masën e sigurisë të caktuar më parë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda.
Ndaj Habilajt, më 26 dhjetor 2018, ishte vendosur masa “arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Më 23 janar 2026, Gjykata e Posaçme e shpalli fajtor dhe e dënoi me 10 vite burgim për aktivitetin kriminal të dokumentuar nga organet e drejtësisë.
Moisi Habilaj është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe italiane. Ai është dënuar gjithashtu në Itali me mbi 12 vite burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të armatosur të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, Habilaj konsiderohet drejtues i një grupi kriminal që operonte në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë, duke organizuar transportin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në territorin italian.
Arrestimi i tij në Borsh konsiderohet një nga operacionet më të rëndësishme të muajve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe ndjekur penalisht bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm të grupit kriminal.
