Përplasjet e ashpra mes drejtësisë dhe interesave të errëta të krimit të organizuar dhe politikës kanë zhytur Gjykatën Kushtetuese në një krizë të paprecedentë. Në qendër të debatit ndodhet çështja e përgjimeve të platformës “SKY ECC”, një provë kyçe në luftën kundër rrjeteve kriminale, të cilën shumë duan ta shpërfillin. Përballë këtij presioni të jashtëzakonshëm, kryetarja Olta Zaçja ka ndërmarrë një hap të papritur, duke paralajmëruar zgjatjen e mandatit të saj dhe duke kërkuar ndihmën e Komisionit të Venecias për të mbrojtur integritetin e sistemit kushtetues. Lufta për drejtësi është në kulmin e saj, ndërsa tensionet rrezikojnë të paralizojnë një nga shtyllat kryesore të demokracisë shqiptare.
Prapaskena
Në Shqipëri, lufta kundër krimit të organizuar është transformuar nga një teknologji që më parë përdorej nga grupet kriminale për të komunikuar në fshehtësi. “SKY ECC”, një aplikacion i koduar që reklamonte privatësi absolute, është kthyer gjatë viteve të fundit në armën kryesore të Prokurorisë së Posaçme, duke zbuluar mijëra biseda që lidhin kriminelë, politikanë dhe biznesmenë në Shqipëri. Falë zbërthimit të sistemit “SKY ECC”, SPAK ka goditur të paktën nëntë organizata të fuqishme kriminale, ka kryer dhjetëra arrestime dhe ka hedhur dritë mbi ngjarje të rënda të viteve të fundit. Këto komunikime konsiderohen gjithashtu nga prokurorët si një avantazh për të kuptuar më gjerësisht shtrirjen e krimit të organizuar shqiptar dhe depërtimin e tij në administratën publike dhe agjencitë ligjzbatuese.
Sky ECC është një aplikacion i zhvilluar nga kompania kanadeze Sky Global. Ky aplikacion ofronte kriptim të avancuar dhe përdorej gjerësisht nga organizata kriminale për aktivitete të paligjshme, si trafiku i drogës apo i armëve. Megjithatë, në mars të vitit 2021, autoritetet franceze, belge dhe holandeze arritën t’i deshifronin komunikimet. Prokurori Braho thotë se mes përdoruesve të Sky ECC ishin me mijëra shqiptarë, si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij. “Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të përdorura në platformën Sky ECC,” tha Braho. Por jo të gjithë janë dakord me trajtimin e të dhënave të Sky ECC si prova gjyqësore. Njëri prej përdoruesve dyshohet se është biznesmeni Pëllumb Gjoka, një investitor strategjik i qeverisë, i cili akuzohet për vrasje me paramendim si pjesë një grupi të strukturuar kriminal që u godit gjatë operacionit “Metamorfoza” në korrik të vitit 2023.
Gjoka e ka ankimuar vendimin që e mban në burg në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar si të paligjshëm arrestimin e tij në bazë të provave të marra nga Sky ECC. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, njëherazi avokat i Gjokës, mbron idenë se përdorimi i këtyre të dhënave si prova gjyqësore përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe rregullave të privatësisë. Kujtojmë se më 19 dhjetor, trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të vendosë mbi këtë çështje, duke përcaktuar nëse përdorimi i të dhënave të Sky ECC si prova përputhet me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Ky vendim do të ketë një ndikim të rëndësishëm mbi të ardhmen e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
