Hita pret ambasadorin suedez: Mbështetje për modernizimin e Policisë dhe përmbushjen e standardeve evropiane

Data

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim prezantues me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ku në fokus të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Gjatë takimit, Hita vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Policinë e Shtetit dhe theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta që kanë kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave policore shqiptare.

“Vizioni im është për një Polici të Shtetit gjithnjë e më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë së kohës”, u shpreh Hita.

Ai veçoi Programin për Forcimin e Policimit në Komunitet (SCPA), që do të vijojë deri në vitin 2029, si dhe mbështetjen suedeze për Policinë Shkencore, Policinë Rrugore dhe Akademinë e Sigurisë.

Sipas Policisë së Shtetit, partneriteti mes institucioneve shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese suedeze ka sjellë rezultate konkrete në luftën kundër terrorizmit, policimin në komunitet, mbrojtjen e të miturve, luftën ndaj dhunës me bazë gjinore, hetimin kriminal dhe shkëmbimin e informacionit.

Nga ana e tij, ambasadori Niklas Ström vlerësoi progresin e Policisë së Shtetit dhe rikonfirmoi angazhimin e Suedisë për të mbështetur procesin e modernizimit dhe afrimit me standardet evropiane.

Palët diskutuan gjithashtu projektet aktuale dhe planet e ardhshme që synojnë përdorimin e teknologjive bashkëkohore në Policinë Rrugore, forcimin e hetimit të dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore, institucionalizimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe rritjen e kapaciteteve për hetimin e vendngjarjeve.

Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë publike në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related