E gjithë dosja e tjetërsimit të pronës publike ish Klubi Partizani del se është manipuluar. Gazeta vazhdon të nxjerrë fakte nga dosja 500 faqshe e SPAK, që akuzon Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Malltezi se kanë përfituar afro 6 milionë USD nga privatizimi i klubit Partizani. Në viteve nga 2008-2012 por edhe në vijim, që është një periudhë zhvillimi ndërtimesh, ish-Presidenti i klubit “Partizani” Paro Laçi ka bërë një kallëzim për mbylljen e derës së klubit duke pretenduar se ka investuar 30 mijë euro. Po sipas tij, Xhim Begeja dhe Fatmir Bektashi e kishin bindur se do ta shpërblenin. Madje Laçi ka treguar për SPAK disa episode sesi kërcënohej në emër të Berishës nga familjarë të tij por edhe nga të gjitha strukturat e shtetit, përfshirë policinë dhe ministrat, për t’u larguar nga ish-kompleksi. Laçi përmendi me emra disa prej personave që sipas tij i kanë bërë presion. “Xhimi Begeja ka pretenduar se ka vendosur të bllokojë derën kryesore që të mos hynin automjete, ndërkohë që dera tjetër ku futen sportistët ka qenë dhe është e hapur.
Ditën e kallzimit, rreth orës 11.20, Paro Laçi i ka thyer këto rregulla duke hyrë me forcë në ambjentet e klubit, duke bërë shantazh, duke ofenduar çdo person që i del para duke e kërcënuar personalisht Xhimin. Prandaj Xhimi ka njoftuar policinë,”shkruhet në dosjen e SPAK. Po, sipas Paro Laçit, Policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes por nuk kishin bërë asgjë. “Më thanë se urdhërat i jepte Xhim Begeja duke thënë Këtu është Sali Berisha. Është prona e Sali Berishës dhe e familjes së Sali Berishës. Unë jam daja i Jamarbër Malltezit shtetasit Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi i kanë thënë se prona ishte e tyrja, e familjes së Sali Berishës, është vetë Sali Berisha në këtë mes, urdhërat i jep Sali Berisha,”-madje pretendon se Jamarbër Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, bashkë i kanë bërë presion. “Me Shkëlzenin ka shkëmbyer edhe mesazhe telefonike. Një rast Shkëlzeni i ka thënë është pronë e familjes sonë, është pronë e jona, e kanë trashëgimi të vjetër Jamarbër Malltezi ka dashur t’i mbushë mendjen, janë takuar para marsit 2011 në ambientet e Klubit të Futbolit Partizani. Sipas tij, Jamarbëri i ka thënë “Unë jam përfaqësues i pronarëve. Unët do të ndërtoj kulla këtu. Unë kudo që shkoj, shkoj në emër të Berishës dhe nuk m’i mbyll dot ti rrugët. Dyert i kam të hapura kudo.” Ai pretendon se nga Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi i kanë ofruar si shpërblim 500 000 euro dhe ambient banimi e garazh me kusht që të largohej dhe nënshkruante largimin nga ambientet. Po ashtu, përmend edhe një bisedë që ka bërë me asokohe ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. “Është pronë e Sali Berishës, ka dorë Sali Berisha, ma ka dhënë postin e Ministrit për të firmosur për ambientet e Partizanit, kam firmosur dhe do firmos çdo letër!”
Presionet
Për arsye që nuk dihet, Paro Laçi përmend se ka zhvilluar takime edhe me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë dashur që ta bindnin që të mos rezistonte dhe të dorëzonte ambientet. “Në atë kohë, Policia ka pasur një dhunë të vazhdueshme duke mos i lënë të hynin në ambientet e Klubit të Futbollit. Erzen Breçani teksa ka qenë në drejtimin e Komisariatit të Policisë nr.2 Tiranë, shfaqet i angazhuar në përballjen me këto konflikte. Me shkresën nr.201, Fatmir Bektashi, nën siglën e shoqërisë “Kontakt sh.pk”, i është drejtuar shefit të Komisariatit të Policisë nr 2 Tiranë Erzen Breçani, ku i ka kërkuar prishjen e objektit pa leje, të merren masa urgjente për prishjen e murit pa leje të ndërtuar nga Flamur Kolmarku dhe Dritan Saka, i ngritur mbi pronat e familja Begeja, për të cilat është nënshkruar kontratë për zhvillimin e tokës me kompaninë Kontakt sh.p.k.” Në një dokument të gjendur pranë studio “Pustina”, me emërtimin “Homeplan shp.k. 2012”. Në pyetje nga SPAK është marrë Genci Jakollari. “Në vitin 2007 është emëruar ‘SPZ-Inspektor Rendi Zone’ ku ka mbuluar disa zona, Fatmir Bektashi e njeh. Mesa kujton mund ta ketë njohur nga periudha 2010-2012 kur ka qenë 1 Inspektori i Zonës, në zonën e parkut ku ky shtetas kryente ndërtime në zonën e Ish-Klubit Partizani. Ne atë periudhë Fatmir Bektashi i dërgonte shefit të Komisariatit shkresa ku kërkonte mbështetje pasi haste pengesa dhe vështirësi për kryerjen e punimeve në kompleksin e pallateve nga banorë të cilët kishin zënë një pjesë të godinave të klubit të futbollit “Partizani”. Banorët që kishin zënë këto godina nuk dilnin nga këto ambiente dhe për më tepër ju dilnin përpara makinerive.”
