Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshëm deputetin socialist Erion Braçe, pas padisë penale për shpifje të ngritur nga shtetasi Anduel Çekrezi.
Vendimi u dha këtë të mërkurë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila pas shqyrtimit të çështjes vendosi të rrëzojë akuzën ndaj deputetit të Partisë Socialiste.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, Çekrezi kishte paraqitur më 3 mars 2026 një kërkesë për gjykimin dhe shpalljen fajtor të Erion Braçes për veprën penale të “Shpifjes”, të kryer botërisht, sipas nenit 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Në përfundim të procesit gjyqësor, trupi gjykues vendosi:
- Deklarimin e pafajshëm të Erion Braçes për veprën penale të “Shpifjes”, e kryer botërisht;
- Shpenzimet gjyqësore të mbeten siç janë bërë;
- Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
Deputeti socialist kishte marrë pjesë në seancat gjyqësore të zhvilluara për këtë çështje, ndërsa me vendimin e sotëm GJKKO ka mbyllur në shkallë të parë procesin në favor të tij.
