Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas takimit të kryeministrit Edi Rama me fermerët në Divjakë, ku ky i fundit u shfaq i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Sipas Berishës, sjellja e Ramës ishte fyese dhe përçmuese ndaj qytetarëve, veçanërisht fermerëve që përballen çdo ditë me varfëri dhe mungesë mbështetjeje.
Në deklaratën e tij për mediat, Berisha u shpreh se Rama, në vend që të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi për dështimet e qeverisë, vazhdon të provokojë dhe të sfidojë shqiptarët.
“Sot Rama shëtit si i ‘vdekuri me të gjallin’ krah Ballukut, jo për të dëgjuar hallet e njerëzve, por për t’i ofenduar dhe për t’u thënë hapur se do t’i grabisë edhe më shumë,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit, pa subvencione reale, pa treg për produktet dhe pa mbështetje institucionale, ndërkohë që qeveria propagandon suksese imagjinare.
Sipas Berishës, kjo sjellje është tregues i qartë i një pushteti të shkëputur nga realiteti dhe i frikës së qeverisë përballë zemërimit qytetar. Ai nënvizoi se protesta dhe revolta janë e vetmja rrugë për t’i dhënë fund, sipas tij, një regjimi që po varfëron vendin.
“Shqiptarët nuk mashtrohen më. Revolta qytetare është e pashmangshme dhe do të dëgjohet kudo,” përfundoi Berisha.
