Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dëshiron të zhvillojë një takim me liderin suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, duke theksuar se ai është i përfshirë në diskutimet që synojnë përfundimin e konfliktit në rajon.
Në një intervistë për New York Post, Trump u shpreh se Khamenei gëzon respekt të madh brenda Iranit dhe luan rol në procesin e negociatave. Megjithatë, presidenti amerikan tha se nuk e ka takuar asnjëherë personalisht dhe se nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e tij shëndetësore.
“Do të doja ta takoja. Do të takoja këdo nëse kjo ndihmon për paqen dhe stabilitetin”, deklaroi Trump, duke lënë të hapur mundësinë e një takimi në të ardhmen.
Gjatë intervistës, Trump pretendoi gjithashtu se Irani ka rënë dakord të mos zotërojë armë bërthamore, megjithëse një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane ende nuk është bërë publik.
Presidenti amerikan komentoi edhe marrëdhënien me Izraelin dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke hedhur poshtë pretendimet se ishte manipuluar për t’u përfshirë në konfliktin me Iranin. Sipas tij, vendimet janë marrë për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore nga Republika Islamike.
“Pa ndërhyrjen time, Izraeli nuk do të ekzistonte më”, u shpreh Trump, duke mbrojtur rolin e administratës së tij në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajon, ndërsa vëmendja ndërkombëtare mbetet e fokusuar te programi bërthamor iranian dhe perspektiva e dialogut mes palëve.
