Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka mbajtur një fjalim me tone mobilizuese në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku ka theksuar se sfida e re e demokratëve nuk është më vetëm mbijetesa politike, por shndërrimi në një alternativë fituese dhe qeverisëse për shqiptarët.
Duke kujtuar periudhën e vështirë që ka kaluar Partia Demokratike gjatë katër viteve të fundit, Zhupa vlerësoi qëndresën e demokratëve përballë përçarjeve, sulmeve dhe krizave të brendshme, duke theksuar se partia ia doli të mbijetojë falë besimit dhe angazhimit të anëtarësisë së saj.
Sipas saj, koha e opozitës që kufizohet vetëm te rezistenca ka përfunduar dhe tashmë PD duhet të fokusohet te ndërtimi i një projekti konkret për të ardhmen e vendit.
“Partia Demokratike duhet të mos jetë thjesht një forcë që reziston, por një parti që fiton dhe qeveris. Shqiptarët kanë nevojë për një alternativë reale dhe të besueshme”, deklaroi Zhupa.
Deputetja demokrate u ndal edhe te ndryshimet statutore të miratuara në Kuvend, duke përshëndetur rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në strukturat drejtuese të partisë. Ajo theksoi se një forcë politike moderne duhet të reflektojë përbërjen reale të shoqërisë dhe të krijojë më shumë hapësira për gratë, të rinjtë dhe profesionistët.
Zhupa kërkoi gjithashtu që PD të dëgjojë më shumë zërin e të rinjve, sipërmarrësve, diasporës dhe qytetarëve të zhgënjyer që janë larguar nga politika, duke argumentuar se vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet besimi te ndryshimi.
Në fund të fjalës së saj, ajo bëri thirrje për nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke kërkuar identifikimin e kandidatëve përfaqësues dhe fitues në çdo bashki.
“Zgjedhjet nuk fitohen vetëm mbi revoltën ndaj qeverisë, por mbi shpresën që u ofrohet qytetarëve. Prandaj duhet të ndërtojmë që tani projektin e së ardhmes dhe të rikthejmë besimin e shqiptarëve se ndryshimi është i mundur”, u shpreh Zhupa.
