Politologu Ermal Hasimja ka mbajtur një fjalim kritik ndaj qeverisë socialiste gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke theksuar se Partia Socialiste mban përgjegjësinë kryesore për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit.
Hasimja u shpreh se sfida kryesore e opozitës në periudhën që vjen është të bindë qytetarët se jo të gjitha forcat politike janë njësoj dhe se përgjegjësia për problemet e Shqipërisë bie mbi mazhorancën që ka qeverisur vendin për më shumë se një dekadë.
Sipas tij, qytetarët votojnë duke menduar për interesat dhe problemet e tyre të përditshme, ndaj opozita duhet të ofrojë alternativa konkrete dhe besueshmëri për të fituar mbështetjen e tyre.
“Detyra kryesore e opozitës është të bindë shqiptarët se partia që është në pushtet ka përgjegjësinë madhore për gjendjen e krijuar në vend dhe se ekziston një alternativë tjetër për të ardhmen”, deklaroi Hasimja.
Ai theksoi se Partia Demokratike nuk është më e vetmja forcë opozitare në vend, pasi në skenën politike janë shfaqur edhe parti të reja, ndërsa ka gjithnjë e më shumë socialistë të zhgënjyer nga qeverisja aktuale.
Hasimja vlerësoi gatishmërinë e PD-së për bashkëpunim me të gjitha forcat dhe grupet që kërkojnë ndryshim politik, duke argumentuar se vetëm përmes një fronti më të gjerë opozitar mund të realizohet rotacioni politik.
Në fund të fjalës së tij, ai kujtoi rolin historik të Partisë Demokratike në rrëzimin e regjimit komunist në fillim të viteve ’90, duke theksuar se kjo trashëgimi i ngarkon demokratët me përgjegjësinë për të sjellë një tjetër ndryshim të madh politik në vend.
“Pesha e historisë është një detyrim madhor për Partinë Demokratike. Ashtu siç kontribuoi në rrëzimin e regjimit komunist, sot ka detyrimin të udhëheqë përpjekjen për largimin e qeverisë socialiste dhe rikthimin e besimit te qytetarët”, u shpreh Hasimja.
