“Narkoshteti po refuzohet nga shqiptarët”, Këlliçi sulmon ashpër qeverinë: Rama ka ngritur një rrjet frike dhe shantazhi

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD-së, duke e cilësuar mazhorancën si një strukturë që funksionon përmes frikës, presionit dhe shantazhit ndaj qytetarëve.

Në fjalën e tij, Këlliçi deklaroi se shqiptarët po refuzojnë modelin e qeverisjes aktuale, të cilin ai e përshkroi si “narkoshtet”, duke e lidhur atë me fenomenet e korrupsionit, emigracionit masiv dhe përkeqësimit të cilësisë së jetës në vend.

“Kemi përballë një qeveri që funksionon si një korporatë e frikës dhe e shantazhit. Shqiptarët po refuzojnë narkoshtetin, shpopullimin dhe problemet që po rëndojnë çdo ditë mbi jetën e tyre”, u shpreh ai.

Këlliçi u ndal edhe te beteja politike e opozitës në Bashkinë e Tiranës, duke përmendur çështjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, për të cilin tha se opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm në denoncimin e aferave dhe problematikave të lidhura me drejtimin e bashkisë.

Deputeti demokrat vlerësoi qëndresën e demokratëve gjatë viteve të fundit, duke theksuar se pavarësisht sulmeve politike dhe përplasjeve të brendshme, Partia Demokratike arriti të mbijetojë dhe të ruajë identitetin e saj politik.

Sipas tij, sfida e radhës nuk është vetëm mbajtja gjallë e partisë, por transformimi i saj në një forcë më të hapur, më moderne dhe më demokratike, e gatshme për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes.

Në përfundim të fjalës së tij, Këlliçi theksoi se Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe riorganizimi për demokratët, duke e cilësuar atë si “provën gjenerale” të një force politike që synon të paraqitet para qytetarëve si alternativa e ardhshme qeverisëse e vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related