Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, ka shtyrë seancën gjyqësore për dosjen “Partizani”, për shkak të mungesës së të pandehurit Fatmir Bektashi dhe avokatit të tij mbrojtës, Sokol Hazizaj.
Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK kërkuan shtyrjen e procesit, duke argumentuar se mungesa e të pandehurit dhe e avokatit e bënte të pamundur vijimin normal të shqyrtimit gjyqësor.
“Duke qenë se mungon avokati Sokol Hazizaj dhe i pandehuri Bektashi, vlerësojmë se jemi në kushtet që seanca duhet të shtyhet”, deklaruan prokurorët në sallën e gjyqit.
Në ambientet e gjykatës ishin paraqitur edhe dy dëshmitarë të thirrur për procesin, por dëshmia e tyre nuk u administrua për shkak të shtyrjes së seancës.
Sipas vendimit të gjykatës, seanca e radhës për dosjen “Partizani” do të zhvillohet më 8 qershor, në orën 10:00.
