Qeveria britanike ka reaguar pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi se Mbretëria e Bashkuar po planifikon t’ia kalojë Mauritiusit ishullin Diego Garcia.
Në një deklaratë zyrtare, Londra theksoi se vendimi është marrë për arsye të sigurisë kombëtare, pasi statusi ligjor i ishullit dhe vendimet gjyqësore ndërkombëtare kishin vënë në rrezik funksionimin e bazës ushtarake.
“Mbretëria e Bashkuar nuk do të bëjë kurrë kompromis me sigurinë e saj kombëtare. Ne vepruam sepse baza në Diego Garcia ishte nën kërcënim, pasi vendime gjyqësore kishin minuar pozicionin tonë dhe do ta kishin penguar atë të funksiononte siç ishte parashikuar në të ardhmen”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë britanike.
Sipas Londrës, marrëveshja e re synon të garantojë vazhdimësinë e operacioneve të bazës së përbashkët ushtarake SHBA–Britani e Madhe në Diego Garcia për dekada me radhë. Autoritetet britanike nënvizuan se kjo zgjidhje ruan aftësitë strategjike të bazës dhe siguron që ajo të mbetet plotësisht funksionale, duke mbajtur larg çdo kërcënim të mundshëm nga kundërshtarët.
Deklarata vjen në një moment delikat gjeopolitik, ndërsa statusi i Diego Garcia-s ka qenë prej vitesh objekt debatesh ligjore dhe diplomatike në arenën ndërkombëtare.
