Në seancën gjyqësore për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, dëshmitari Henrik Hoxhaj ka vijuar rrëfimin e tij, duke dhënë detaje të reja mbi atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha në Tiranë.
Sipas Hoxhajt, porosia për atentatin ishte dhënë nga Nuredin Dumani dhe ishte komunikuar në Kosovë, konkretisht në qytetin e Gjilanit. Fillimisht, objektiv i atentatit ishte djali i Lulzim Mashës, por për shkak se nuk u gjet, vendimi u ndryshua dhe objektivi u bë vetë biznesmeni.
Hoxhaj deklaroi se motivi i atentatit lidhej me një konflikt financiar, pasi vajza e Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe, sipas porositësve, pas ndarjes nuk ishin kthyer disa para apo prona që më herët ishin kaluar në emër të familjes Masha.
Ai rrëfeu gjithashtu se arma për atentatin ishte siguruar nga një person i njohur me nofkën “Sakati” dhe se dy ditë para ngjarjes kishte kryer prova me armën. Megjithatë, në momentin e atentatit arma nuk funksionoi, duke bërë që ngjarja të dështonte.
Sipas dëshmisë, gjatë gjithë kohës Hoxhaj ishte në komunikim përmes një radioje policore dhe bashkëpunëtori i tij, i identifikuar si Skerdi, ishte personi që do të kryente ekzekutimin.
Pagesa e parashikuar për atentatin, sipas Hoxhajt, ishte 150 mijë euro për vrasjen e djalit të biznesmenit dhe 100 mijë euro për Lulzim Mashën.
Procesi “Plumbi i Artë” vijon të hedhë dritë mbi rrjetin e porosive për vrasje me pagesë dhe konfliktet kriminale që kanë çuar në atentate të shumta në vend.
