Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se hetimet e SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku mund të çojnë në ashpërsim të akuzave penale, ndërsa po vijojnë verifikimet për pasurinë dhe lidhjet financiare të saj.
Duke folur në një studio televizive, Lala tha se në kuadër të këtij procesi hetimor është marrë në pyetje edhe Agron Tare, ndërsa janë dërguar dy fletë-thirrje edhe për ish-futbollistin Igli Tare.
Sipas saj, dëshmia e Tares konsiderohet me rëndësi nga prokurorët për hetimet që lidhen me pasurinë dhe raportet financiare me Ballukun.
“Prokurorët e cilësojnë si tejet thelbësore dëshminë e zotit Tare në lidhje me këtë proces”, u shpreh Lala.
Ajo sqaroi se fletë-thirrja e parë ndaj Igli Tares është kthyer pas për shkak se nuk është gjetur adresa e tij, ndërsa për thirrjen e dytë ende nuk ka një përgjigje.
Gazetarja shtoi gjithashtu se SPAK po pret vendimin e gjykatës për ekspertimin e celularëve të sekuestruar gjatë kontrolleve të fundit, proces që sipas saj kërkon kohë për shkak të analizave teknike.
Hetimet, sipas Lalës, lidhen me një sërë tenderash rrugësh dhe procedurash prokurimi, ndërsa provat e reja mund të sjellin rëndim të mëtejshëm të akuzave ndaj Ballukut dhe personave të tjerë të përfshirë.
“Nga mënyra si po zhvillohen hetimet, priten ashpërsime të akuzave, por vendimet i marrin prokurorët”, deklaroi ajo.
Balluku është aktualisht nën hetim për çështje që lidhen me abuzimin me detyrën dhe procedura tenderuese në infrastrukturë.
