e-Albania del sërish jashtë funksionit, bizneset dhe ekonomistët raportojnë bllokim të shërbimeve online

Data

Platforma shtetërore e-Albania ka shfaqur sërish probleme funksionimi, duke krijuar vështirësi të mëdha për bizneset dhe ekonomistët, të cilët raportojnë pamundësi për të kryer shërbime bazë online.

Sipas raportimeve të financierëve dhe kontabilistëve, shumë procese të rëndësishme nuk po funksionojnë normalisht, ndërsa sistemi punon me ndërprerje ose nuk hapet fare në disa seksione kryesore.

Ekonomistët ankohen se nuk arrijnë të hyjnë në platformën e faturave, nuk mund të kontrollojnë gjendjen e arkës dhe kanë probleme me aplikimet që lidhen me regjimin e përpunimit aktiv ose pasiv, të përdorur kryesisht nga bizneset fason.

Po ashtu, raportohen probleme edhe me aplikimet për barrëlindje, raportet mjekësore, shkarkimin e kartelave të pasurisë, si dhe procedurat që lidhen me lejet pranë Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe bashkive.

Sipas përdoruesve, sistemi nuk lejon ngarkimin e dokumenteve për aplikime të reja apo ato që janë në proces, ndërkohë që afatet ligjore vijojnë të ecin normalisht.

Një tjetër problem i raportuar lidhet me administrimin e shumë subjekteve nga ekonomistët. Ata thonë se edhe pasi mbyllin një profil biznesi dhe tentojnë të hyjnë në një tjetër, sistemi vazhdon të hapë të njëjtin NIPT, duke krijuar konfuzion dhe vonesa.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që administron platformën, ka deklaruar se sistemi funksionon normalisht.

Megjithatë, për shumë biznese dhe profesionistë të financës, problemet teknike janë kthyer në një shqetësim të përditshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në punën dhe afatet e tyre operative.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related