Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërime të forta ndaj Iranit mes tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe negociatave të pasigurta për armëpushim.
Në një intervistë telefonike për BFMTV, Trump deklaroi se nuk ka siguri nëse do të arrihet një marrëveshje me Iranin në të ardhmen e afërt.
“Nuk kam asnjë ide nëse do ta bëjnë. Nëse nuk e bëjnë, do të kenë një kohë shumë të keqe, një kohë shumë të keqe. Më mirë të bëjnë një marrëveshje”, u shpreh presidenti amerikan.
Tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm që prej 28 shkurtit, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën sulme ndaj objektivave iraniane, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani kundër Izraelit dhe aleatëve amerikanë në vendet e Gjirit.
Situata u përshkallëzua më tej pas mbylljes së Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill me ndërmjetësimin e Pakistanit, por negociatat e zhvilluara në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje afatgjatë.
Më pas, Trump vendosi të zgjasë armëpushimin për një periudhë të pacaktuar, ndërsa bllokada ndaj anijeve që lëvizin drejt ose nga portet iraniane përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet ende në fuqi.
