Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar pranë qytetit Beit Shemesh, në ambientet e uzinës shtetërore ushtarake Tomer në Izrael.
Pas incidentit, kompania deklaroi se bëhej fjalë për një “test të planifikuar dhe të kontrolluar”, duke theksuar se shpërthimi ishte pjesë e një eksperimenti të programuar paraprakisht.
Megjithatë, rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se fuqia e shpërthimit ka shkaktuar habi edhe brenda vetë Izraelit.
Sipas The Times of Israel, kompania Tomer konfirmoi se testi ishte realizuar sipas planit operacional.
Një burim anonim brenda kompanisë i tha transmetuesit publik izraelit Kan News se shpërthimi ishte i kontrolluar, por nuk dha shpjegime përse eksperimenti ishte zhvilluar rreth orës 23:30 të natës.
Ndërkohë, Channel 12 Israel raportoi se testi mund të ketë përfshirë sisteme shtytëse për raketa, përfshirë raketa me rreze të gjatë veprimi.
Ngjarja ka rikthyer shqetësim tek banorët e zonës, pasi Beit Shemesh, që ndodhet pranë Jerusalem, ishte goditur disa herë nga raketa iraniane gjatë konfliktit të fundit mes Izraelit dhe Iranit.
Deri tani, autoritetet izraelite nuk kanë raportuar për viktima apo dëme të tjera nga shpërthimi.
