Adriatik Lapaj paralajmëron referendum për ligjin e investimeve strategjike dhe “paketën e maleve”: Protesta nuk është mbyllur

Data

Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, deklaroi se protesta e nisur nga forca politike që ai drejton nuk ka përfunduar, por do të vijojë në një formë të re përmes një aksioni politiko-juridik që synon organizimin e referendumeve në vend.

Në një deklaratë publike, Lapaj tha se protesta do të ridimensionohet në një fushatë kombëtare për mbledhjen e firmave kundër ligjit për investimet strategjike dhe ligjit të njohur si “paketa e maleve”.

Sipas tij, këto dy ligje kanë prodhuar pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale gjatë viteve të fundit.

“Protesta nuk është mbyllur. Është ridimensionuar. Është rrugëtim,” deklaroi Lapaj, duke shtuar se objektivi i radhës është që qytetarët të vendosin vetë përmes referendumit.

Ai bëri të ditur se lëvizja i është drejtuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për formularët përkatës dhe se kërkesa është miratuar.

Lapaj paralajmëroi se duke nisur nga java e ardhshme do të fillojë një fushatë në terren për mbledhjen e 100 mijë firmave, konkretisht 50 mijë firma për secilin ligj që synohet të dërgohet në referendum.

Sipas tij, ky do të ishte referendumi i parë shfuqizues në Shqipëri pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998.

“Do ta çojmë vendin në referendum që qytetarët, përmes votës, të vendosin për dy ligje që kanë krijuar debat dhe probleme të mëdha në shoqëri,” u shpreh Lapaj.

Gjatë deklaratës së tij, ai pretendoi gjithashtu se persona të lidhur me kryeministrin Edi Rama i kanë ofruar tre poste politike, pretendim që sipas tij kryeministri mund ta mohojë publikisht nëse dëshiron.

Lapaj nuk dha detaje të mëtejshme mbi ofertën që pretendon se i është bërë, por e cilësoi atë si pjesë të përpjekjeve për të ndalur aksionin politik të lëvizjes së tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related