Autoritetet kineze kanë dënuar me vdekje dy ish-ministrat e Mbrojtjes, Wei Fenghe dhe Li Shangfu, pasi u shpallën fajtorë për korrupsion nga një gjykatë kineze.
Sipas medias shtetërore kineze Xinhua, të dy ish-zyrtarët janë dënuar me vdekje me pezullim dyvjeçar, një praktikë e njohur në sistemin juridik të Kinës.
Kjo do të thotë se nëse gjatë periudhës dyvjeçare ata nuk kryejnë shkelje të tjera dhe tregojnë sjellje të mirë, dënimi mund të konvertohet në burgim të përjetshëm.
Të dy ish-ministrat u përjashtuan nga Partia Komuniste e Kinës në vitin 2024 për atë që autoritetet e përshkruan si “shkelje të rënda disiplinore”, term që përdoret zakonisht në Kinë për raste korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.
Rasti konsiderohet një nga goditjet më të forta të viteve të fundit ndaj figurave të larta ushtarake dhe politike në Kinë, në kuadër të fushatës kundër korrupsionit të udhëheqjes kineze.
