Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, deklaroi në Kuvend se Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë në sektorin e karburanteve dhe mungesë të rezervave strategjike të sigurisë.
Gjatë diskutimeve parlamentare, Bozdo akuzoi qeverinë se nuk ka marrë masa për garantimin e rezervave të naftës dhe se vendi ndodhet në një situatë të pasigurt.
“Është e dhimbshme të shohësh që Shqipëria nuk zotëron asnjë gram naftë të rezervës së sigurisë”, deklaroi ai.
Sipas deputetit demokrat, Shqipëria po mbështetet vetëm te shpresa që kriza ndërkombëtare të zgjidhet, ndërsa mungojnë mekanizmat mbrojtës për ekonominë dhe tregun vendas.
“Sot ne nuk kemi as rezerva sigurie. Jemi me sytë nga qielli duke shpresuar që kjo krizë të zgjidhet”, tha Bozdo.
Ai kritikoi gjithashtu nivelin e lartë të çmimeve të karburanteve në vend, duke pretenduar se shqiptarët paguajnë një nga çmimet më të larta për naftën.
“Kemi naftën më të shtrenjtë në botë dhe strukturën më të rëndë fiskale”, u shpreh deputeti.
Bozdo akuzoi qeverinë se taksat mbi karburantet përdoren për interesa financiare të mazhorancës dhe jo për mbështetjen e qytetarëve.
Ndërkohë, ai e cilësoi Bordi i Transparencës si një mekanizëm joefektiv.
“Bordi i Transparencës është një tallje”, deklaroi Bozdo, duke kërkuar më shumë transparencë dhe masa konkrete për menaxhimin e krizës energjetike dhe të karburanteve.
