Magnezi konsiderohet një nga mineralet më të rëndësishme për shëndetin, pasi merr pjesë në mbi 300 procese enzimatike në trup. Ai ndihmon në prodhimin e energjisë, funksionimin e muskujve dhe nervave, si dhe në rregullimin e tensionit të gjakut.
Mjekja Heather Viola nga sistemi shëndetësor Mount Sinai (New York) shpjegon se magnezi stabilizon ritmin e zemrës, parandalon aritmitë dhe, së bashku me kalciumin dhe vitaminën D, përforcon kockat. Sipas farmacistes Eleana Quattrocchi nga Universiteti Long Island (Brooklyn), magnezi ndihmon për lehtësimin e kapsllëkut, parandalimin e migrenës dhe zbutjen e simptomave të PMS-it.
Ky mineral gjithashtu përmirëson cilësinë e gjumit, ul stresin dhe pengon ngërçet muskulore gjatë natës.
Vonimi ose mungesa e magnezit mund të rrisë rrezikun për disa probleme serioze shëndetësore, si hipertension, sëmundje të zemrës, diabet tip 2, migrenë dhe osteoporozë.
Shenjat paralajmëruese të mungesës përfshijnë:
– Pagjumësi
– Ngërçe muskulare
– Kapsllëk
– Ndjesi të përziera apo të vjella
– Lodhje dhe dobësi
– Mpirje ose ndjesi shpimi “gjilpërash”
– Ndryshime në humor ose personalitet
– Aritmi kardiake
Në rastet më të rënda, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së SHBA-së (NIH), mungesa e magnezit mund të shkaktojë ulje të niveleve të kalciumit ose kaliumit në gjak, gjë që mund të rrezikojë shëndetin neurologjik dhe kardiak
