“AKSHI, strukturë kriminale” – Spahia: Bllokimi i mbledhjes ishte urdhër politik i Edi Ramës

Data

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, reagoi ashpër pas bllokimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke e cilësuar situatën si absurde dhe të paprecedentë. Sipas tij, opozitës iu mohua e drejta për të ushtruar funksionet e saj kushtetuese, pavarësisht se kërkesa për mbledhje ishte bërë në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit.

“Në asnjë rast më parë Kuvendi nuk është vënë kaq hapur në shërbim të pushtetit ekzekutiv,” u shpreh Spahia, duke theksuar se bllokimi i mbledhjes nuk ishte një vendim administrativ, por një urdhër politik i drejtpërdrejtë i kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, qëllimi i këtij veprimi ishte pengimi i transparencës dhe ndalimi i procesit të drejtësisë, konkretisht shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Spahia e cilësoi këtë sjellje si shkelje të rëndë ligjore dhe institucionale, duke akuzuar mazhorancën se po përdor Kuvendin si mburojë politike.

Ai u ndal edhe te dosja e AKSHI-t, të cilën e përshkroi si një shembull flagrant të kapjes së shtetit. Sipas Spahisë, hetimet kanë zbuluar se institucioni është shndërruar në “oborr privat” të kryeministrit, me tendera publikë që përfundonin në mënyrë të përsëritur te persona të lidhur me të. “Nuk kemi më të bëjmë me një institucion shtetëror, por me një strukturë të mirëfilltë kriminale,” deklaroi ai.

Në lidhje me SPAK-un, Spahia theksoi se opozita mbështet drejtësinë sa herë ajo vepron në interes të qytetarëve, por ka kundërshtuar përdorimin politik të saj kundër opozitës. Ai nënvizoi se ka prokurorë me integritet që nuk i nënshtrohen presioneve dhe që meritojnë respekt.

Në fund, Spahia tha se protestat e opozitës janë pjesë e një beteje më të gjerë për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe për rivendosjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, duke e cilësuar protestën si një nga mjetet kryesore të qëndresës opozitare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related