Policia ka identifikuar tre autorët e dyshuar të atentatit të ndodhur një ditë më parë në Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit janë shtetasit me iniciale A.M., 22 vjeç, F.M., 36 vjeç dhe R.M., 23 vjeç, të gjithë banues në Lezhë. Ata janë shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e tyre.
Nga hetimet paraprake rezulton se autorët kanë përdorur dy automjete në realizimin e krimit. Një mjet tip “Audi A4” ka ndjekur lëvizjet e viktimës, ndërsa një automjet tjetër, tip “Volkswagen” pa targa, i ka prerë rrugën makinës ku udhëtonte çifti. Më pas, autorët kanë hapur zjarr me breshëri armësh, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tyre.
Policia bën me dije se sulmi ka qenë i mirëorganizuar dhe dyshohet se motivi kryesor është hakmarrja. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me strukturat e hetimit të krimeve të rënda dhe ekspertë kriminalistë.
Në terren janë angazhuar edhe forcat speciale të RENEA, si dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit, ndërsa vijon puna për lokalizimin e autorëve dhe sekuestrimin e armëve dhe automjeteve të përdorura në krim.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
